fbpx
Bashke.tv
Aktualitet LAJME

Arifi uron Vitin e Ri, në 2020 më shumë investime

“Viti që po lëmë pas padyshim që bart në vete sfidat dhe mundësitë mbi të cilat u zotuam se do ta bëjmë Tetovën një qytet që zhvillohet, rritet dhe përjeton një progres të sinkronizuar dhe shumë të natyrshëm shoqëror, ekonomik dhe infrastrukturor.

Andaj, ashtu si edhe deri më tani, vendosëm objektiva dhe politika të një zhvillimi të qëndrueshëm dhe afatgjatë, sepse problemet të cilat i trashëguam kërkonin zgjidhje jo të shpejta, të menduara mirë, zgjidhje që do ti shërbejnë mirëqenies dhe nevojave të qytetarëve të komunës së Tetovës.
Prandaj dua të numëroj disa nga projektet më të rëndësishme në të cilat punuam dhe i realizuam këtë vit. Në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës rrugore dhe komunale gjatë vitit 2019 realizuam asfaltimin si dhe vendosjen e ndriçimit publik në rrugën e UÇK-së në Reçicë të Vogël, ndërtuam rrugën trotoaret dhe ndriçimin në blokun 4 në lagjen Drenovec, me 8 milion denarë ndërtuam urën në rrugën Shipkovicë Brodec, kurse në bashkëpunim me pushtetin qendror u asfaltua tërësisht rruga Tetovë-Kodra e Diellit si dhe bulevradi Industrial në gjatësi prej 4 kilometra. Me kofinansim të Ministrisë për vetqeverisje lokale dhe komunës së Zhelinës filloi rikonstruimi dhe asfaltimi i rrugës lokale Tetovë-Trebosh.

Me mjete vetanake filluam ndërtimin e mureve mbajtëse të shtratit të lumit Shkumbin prapa Qendrës klinike në gjatësi prej 1000 metra, si dhe murret mbajtëse në rrugën e Banjës dhe në fshatin Shipkovicë. Gjatë muajit Gusht përfunduam projektin kapital të rrugës Murat Baftijari me ndërtimin e qarkut rrethor dhe vendosjen e sinjalizimit vertikal dhe horizontal.

Këtë fundvit filluan edhe punët ndërtimore rreth vazhdimit të rrugës Tetovë-Brodec duke vazhduar rrugën nga banja e qytetit në gjatësi prej 1 km. Gjithashtu fituam mjetet nga programi MSIP2 në vlerë prej 72.500.000 denarë për furnizimin e 5 autobusëve për ndërmarrjen e transportit publik, kurse për nevojat e ndërmarjes publike komunale Tetova, përmes grantit IPA në vlerë prej 7.320.000 denarë furnizuam automjet për grumbullim dhe bartje të hedhurinave si dhe 150 kontenjerë të rinj.
Gjatë vitit 2019 bekatonizuam shumë rrugë dhe shtigje për këmbësorë si ato në Bllokun 82, Reçicë të Madhe, fshatin Poroj dhe Xhepçisht, trotoaret në afërsi të postës së qytetit, dhe në rrugën përgjatë stadiumit të vjetër.
Këtë vit vetëm përmes politkave të menaxhimit të mirë, kursimit, dhe evitimit të shpenzimeve të panevojshme arritëm që në çerdhet, shkollat e mesme dhe fillore të komunës së Tetovës të investojmë 25 milion denarë në mjete pune, inventar, dhe projekte konkrete, që padyshim kanë përmirësuar dukshëm infrastrukturën shkollore dhe kualitetin e procesit edukativo-arsimor. Në këtë drejtim dua ti numëroj disa nga projektet si që janë: Ndërtimi i sistemeve fotovoltaike në SH.F Gjergj Kastriot Skenderbeu në Xhepçisht dhe SH.M 7 Marsi në vlerë prej 1.230.000 denarë, ndërtimi i sallës sportive në fshatin Shipkovicë, instalimi i 70 invertorëve për ngrohje dhe ndërtimi i Bibliotekës në shkollën Naim Frashëri, Hapja e Qendrave për zhvillim të hershëm fëmijëror në Gajre dhe Brodec, Rikonstruimi i tërësishëm i Çerdhes së vjetër dhe çerdhes Potok, ndërtimi i çatisë së re në objektin e shkollës në fshatin Xhepçisht, hapja e qendrës për fëmijët me autizëm në çerdhen Teteks, si dhe shumë projekte të tjera të digjitalizimit të procesit mësimor, përmes furnizimit të Smart Bordeve në thuajse të gjitha objektet shkollore të komunës së Tetovës.
Vlen të theksohet edhe fakti se në drejtim të ngritjes së cilësisë së arsimit nxënësit tetovarë këtë vit kanë fituar rreth 150 vende të para, të dyta dhe të treta në garat shtetërore, dhe njëkohësisht afër 2000 nxënës nga komuna e Tetovës morrën pjesë në garat sportive në të gjitha ciklet. Gjithashtu shkollat tona ishin pjesëmarrëse aktive në dhjetra projekte ndërkombëtare të shkëmbimit të njohurive dhe eksperiencës mësimore në partneritet me shkolla nga Guineja Franceze dhe Karaibet.
Gjithashtu vazhduam edhe rregullimin dhe revitalizimin e sipërfaqeve të gjelbëra të qytet, me ndërtimin e këndeve të lojërave për fëmijë, iniciativë kjo të cilën do ta fuqizojmë edhe më shumë në vitin 2020 përmes projektimit dhe vënies në funksion të xhepave të gjelbër urban në disa lokacione të komunës së Tetovës.

Duke besuar se verdikti i qytetarit është detyrim por dhe mundësi për ta bërë më të mirën e mundshme, punuam dhe do të vazhdojmë të punojmë me shumë përkushtim edhe në vitin që vjen në projekte si: planifikimi i rrjetit sekondar për gasifikim të qytetit, vënia në funksion e transportit urban, hapja e bulevardeve të reja si dhe ndërtimi i impiantit për filtrim të ujërave të zeza, gjithnjë duke shfrytëzuar maksimalisht mundësitë e financimit të jashtëm përmes granteve të pakthyeshme dhe instumenteve të volitshme të kreditimit nga Banka Botërore.
Viti 2020 do ta gjej Tetovën në punë. Nga pranvera e hershme do të startojmë punët ndërtimore për vazhdimin e bulevardit Industrial nga Qendra Sportive deri tek Kazerma e qytetit, duke mundësuar kështu një rrugë alternative jashtë qytetit për automjetet e rënda, që përveç kaosit në trafik kontribojnë dukshëm në ndotjen e ajrit ambiental. Ky projekt shumë i rëndësishëm infrastrukturor tani më ka kaluar të gjitha fazat dhe procedurat formale të prokurimit, dhe realizimi i tij pritet të fillojë në muajin Prill të vitit që vjen.
Poashtu për vitin që vjen kemi buxhetuar dhe do të fillojmë me ekspropriimin e pronave për hapjen e bulevardit Blagoja Toska, nga Qendra Klinike deri tek udhëkryqi i shkollës Tekstile, një projekt ky shumë i rëndësishëm për tejkalimin e problemit me komunikacionin e stërngarkuar në qytet.
Aplikuam dhe u kualifikuam me shumë sukses në të gjitha thirrjet për grante të pushtetit qendror, prandaj në vitin 2020 do të realizojmë rikonstruimin dhe asfaltimin e disa rrugëve në qytet si që janë: rr.Jane Sandanski, rr Goce Delcev, rr. 29 Nëntori, rr. Nga Spitali Klinik deri tek rruga Dervish Cara si dhe rr. Gjoce Stojcevski. Kurse nga Ministria e Financave kemi siguruar grant për përpilim të dokumentacionit teknik për rikonstruim dhe ndërtim të plotë të rrugëve Lenin, rrugës së Shtipit, si dhe rrugës Vëllezërit Miladinov.

Ashtu siç potencova edhe më herët me aprovimin e mjeteve nga programi MSIP2 në vlerë prej 72.500.000 denarë për furnizimin e 5 autobusëve, këtë vit do ta vendosim në funksion transportin publik në Tetovë, duke zgjidhur kështu përfundimisht një nga problemet kyçe të qytetit, që do të ndikojë dukshëm në reduktimin e komunikacionit dhe ndotjen e ajrit në qytet.

Të dashur qytetarë,

Kjo ishte vetëm një përmbledhje e shkurtër disa prej punëve dhe projekteve të cilat i realizuam, si dhe planeve të cilat i kemi projektuar dhe buxhetuar për vitin 2020.
Çdo fundvit është edhe një fillimi ri. Fillim i një viti të ri në të cilin bashkërisht do të punojmë me shumë kurajo, përkushtim dhe besim të palëkundur në rrugën e progresit ekonomik dhe shoqëror të Tetovës dhe qytetarëve tanë.
Në fund, dua t’ju uroj shumë shëndet, paqë dhe begati në familjet e juaja dhe mes miqve. Ju dëshiroj një vit të mbarë, kurse bashkëqytetarëve tanë të besimit ortodoks Gëzuar Krishtlindjet!
Rruga jonë është e gjatë dhe e përbashkët, ndoshta jo e vetme por ama e drejtë ! Tetovën do ta bëjmë bashkë ndryshe, sepse ndryshe nuk bëhet vetë Ju falemnderit!” – thotë Arifi

Për më shumë ndiq linkun:

https://m.facebook.com/story.php?story_fbid=3664513040256222&id=343207362386823

LEXO EDHE:

Lidhja hekurudhore mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, prioritet i dy shteteve

BASHKE TV

Nis asfaltimi në Komunën e Dollnenit, Zhitoshë -Llazhan. Memeti premton edhe në komunat tjera shqiptare

BASHKE TV

Zyrtare, dhënja e lejes për përdorim të Teatrit Shqipëtar

BASHKE TV

Mexhiti: Dy deputetët e infektuar me COVID-19 do të ushtrojnë detyrën e tyre në mënyre onlinë

BASHKE TV

Sylejmani: 1 tetorin 1997 nuk duhet ta nderojnë vetëm ata që e organizuan dhe e udhëhoqën

BASHKE TV

Festim Halili paralajmëron ndërtimin e hekurudhës deri në Aeroportin e Shkupit

BASHKE TV
BASHKË.TV