fbpx
Bashke.tv
Aktualitet LAJME

“Hasanizmi” mbi interesat ideologjike

Dje dhe sot kur kujtojmë këto ngjarje madhore, sërish na kujtohet Hasan Prishtina dhe porositë e tij, i cili për çdo situatë delikate gjente rrugëzgjidhje. Kjo dioptri largpamëse e Hasan Prishtinës do të na shërbej si frymëzim, por edhe si leksion që dallimet ideologjike e politike t’i kapërcejmë, dhe t’i trajtojmë në kuadër të betejave për cilësi dhe konkurrencë të shëndoshë midis nesh, sepse fundja vet Hasanizmi është mbi interesat ideologjike.

Nga Mehmet PRISHTINA

Historia nuk do të ishte interesante po të mos i kishte edhe koincidencat e saj, kurse kur është në pyetje historia e popullit shqiptar, këto koincidenca kanë edhe simbolikën e vet. Datat 12 dhe 13 gusht në historinë e popullit tonë, kanë një ngarkesë të posaçme kuptimore, sepse ato paraqesin diagramin e një drame kombëtare që u luajt në skenën e madhe të betejave për liri, identitet dhe pavarësi.

Nëse fillojmë nga kronologjia fillestare, do të shohim se 12 gushti i vitit 2012 ishte prologu i zgjimit kombëtar të shqiptarëve, sepse pikërisht në këtë ditë, ose katër muaj para shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, në Shkup hynë forcat kryengritëse shqiptare me në krye Hasan Prishtinën dhe kjo ngjarje formalizonte shtrirjen e rezistencës shqiptare gjithkund ku bukës i thuheh bukë e ujit ujë. Shkupi ishte zgjedhur pikërisht epiqendra e kësaj rezistence, për të dëshmuar aspiratën e shekullore të shqiptarëve për një pikëtakim të histories mu në në vendin ku Dardania dhe Vilajeti i Kosovës e kishin patur selinë.

Marrja e Shkupit nga forcat shqiptare u shoqërua me një disiplinë të lartë ushtarake e etike. Kronistët e kohës nuk kishin regjistruar asnjë akt dhune a keqbërjeje gjatë ditëve sa ishte Shkupi në duart e shqiptarëve. Kjo e dhënë demantonte të gjitha spekulimet dashakëqia të shovenstëve fqinjë se gjoja shqiptarët nuk kanë aftësi shteformuese, kurse vet Hasan Prishtrina në kujtimet e tij ka veçuar bashkëbisedimin me një gazetar të huaj dhe në interesimin e këtij të fundit se si shpjegohet kjo disciplinë në menaxhimin e Shkupit të çliruar ndër të tjera kureshtjen e gazetarit të huaj e kishte shuar me konstatimin se ‘këtij populli i mungon vetëm një udhëheqje e duhur për të qenë në një rang me popujt e civilizuar’.

Çlirimi i Shkupit nga kryengritësit shqiptarë konfirmoi edhe njëherë platformën ideologjike të Hasan Prishtinës, me të cilën parashihej shtrirja e sovranitetit kombëtar në hapësirat etnike shqiptare pa pasur nevojë që për një veprim të tillë të krijohet supremaci dhe imponim i dhunshëm kundrejt kombeve të tjera që jetojnë brenda kësaj hapësire kombëtare. Me këtë synim largapamës, Hasan Prishtina ishte anticipues i ideve të mëvonshme që u përfshinë në konventat e ndryshme ndërkombëtare ku diversiteti i kulturave, feve dhe racave ishte themeli i parimeve të drejtave dhe lirive të njeriut.

Hasan Prishtina deshi që pikërisht në Shkup, në këtë kryeqendër të Dardanisë dhe të Vilajetit të Kosovës, të përfundojë rrumbullakimi i konceptit të Rilindjes Kombëtare, andaj çdo përvjetor që shënojmë këtu, na shkakton emocione të veçanta, dhe na obligon që gjithmonë ta mbajmë ndezur frymën e vërtetë kombëtare, frymën hasaniste.
Një ditë më vonë, por të një moti tjetër, më 13 gusht 1933 në Selanik, pushoi së rrahuri zemra e shqiptarit të madh, Hasan Prishtina, motivuesi i të gjitha përpjekjeve shqiptare për liri kombëtare brenda trojeve etnike.

Vrasja e Hasan Prishtinës ishte një humbje kolosale për gjithë lëvizjen shqiptare, kurse mungesa e prezencës së tij në kuadër të kësaj lëvizjeje do të zbeh dinamikën e zhvillimeve në terrenin e vështirë të betejave politike të shqiptarëve.
Në vitin 1977 eshtrat e tij u sollën nga Selaniku në Shqipëri.
Në shenjë nderimi ndaj këtij kolosi të shqiptarizmës, në disa qytete dhe kryeqendra shqiptare u ngritën shtatore dhe u emëruan institucione për të rifreskuar kujtesën kombëtare mbi figurën e Hasan Prishtinës.

Nëse 13 gushti i 1933-tës shënonte një prej goditjeve më të mëdha që i bëhej lëvizjes shqiptare, ishte 13 gushti i 2001-shit që rikthente këto goditje në favore të zhvillimit dhe afirmimit të çështjes shqiptare në një pjesë të hapësirës sonë etnike. Në këtë ditë u nënshkrua Marrëveshja e Ohrit, një dokument ky që jo vetëm ndërprente një konflikt disa mujor të armatosur, por ai kodifikonte barazinë e shqiptarëve në aktin normativ të Kushtetutës së Maqedonisë.
Jehona e ngjarjeve të bujshme të 12 gushtit të vitit 19012, që ndodhën në Shkup, do të trasojë rrugët për përpjekje titanike të shqiptarëve për të qenë të lire dhe të barabartë në trojet e tyre. Pjesë e kësaj rruge është edhe lufta heroike e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në vitin 2001, kurse Marrëveshja e Ohrit që sot shënon 18 vjetorin, është kurora e kësaj lufte e cila përfundoi me kompromis dhe me mundësi të reja për një prosperitet të gjithanshëm të shqiptarëve që s’e kishin pasur më herët.

Dje dhe sot kur kujtojmë këto ngjarje madhore, sërish na kujtohet Hasan Prishtina dhe porositë e tij, i cili për çdo situatë delikate gjente rrugëzgjidhje. Kjo dioptri largpamëse e Hasan Prishtinës do të na shërbej si frymëzim, por edhe si leksion që dallimet ideologjike e politike t’i kapërcejmë, dhe t’i trajtojmë në kuadër të betejave për cilësi dhe konkurrencë të shëndoshë midis nesh, sepse fundja vet Hasanizmi është mbi interesat ideologjike.

LEXO EDHE:

Në Kodrën e Diellit 15 centimetra borë

BASHKE TV

Moti sot në Maqedoninë e Veriut

BASHKE TV

Entuziazëm i paparë, bllokohet FB me billbordat e BDI-së

BASHKE TV

BDI, debat mbi dy propozim Rezolutat : “Integrimi konsensual” dhe “Vetingu”

BASHKE TV

Grubi: BDI është në koalicion me qytetarët, nuk ka kthim prapa nga marrëveshjet e Ohrit dhe Prespës

BASHKE TV

Arifi: Projekti “Bashkë për komunën që duam”, për bekatonizimin e rrugicave për vitin 2019 po vazhdon

BASHKE TV
BASHKË.TV